header image
Home  Shtatzania  Barra  Striet – shkaqet dhe shenjat e tyre  
Striet – shkaqet dhe shenjat e tyre

Striet janë një gjendje e caktuar, relativisht e shpeshtë e lëkurës. Ato nuk përbëjnë një problem të rëndësishëm mjeksor, duke mbetur një problem me natyrë kryesisht kozmetike. Në mënyrë të ngjashme me shumë probleme të tjerë me natyrë kozmetike, personat e prekur prej strieve i shohin ato si çështje relativisht stresante, pavarësisht nga fakti se ato rrallë kthehen në një problem të mirëfilltë shëndetësor. Nga ana anatomike, striet paraqesin vraga lineare në shtresën e lëkurës së quajtur dermë, e shoqëruar nga një atrofi e epidermës.

 

Striet prekin atë pjesë të lakurës lëkurës që i nënshtrohet shtrirjes së vazhdueshme dhe progresive. Indi lidhor i nënshtrohet një stresi gjithmonë e më të madh si rezultat i shtimit të volumit të pjesëve të ndryshme të trupit. Një shembull tipik është barku dhe gjoksi i grave shtazana, shpatullat e personave që merren me body building dhe trupi i personave të prekur nga mbipesha. Tendosja e lëkurës çon në degjenerim të qelizave të caktuara (mastocitet) me pasojë dëmtimin e fijeve të kolagjenit dhe elastinës. Një tjetër mekanizëm është përdorimi i zgjatur i kortikosteroidëve lokalë ose sistemikë. Edhe faktorët gjenetikë mund të luajnë rol në krijimin e strieve, por mënyra se si kjo ndodh është ende e paqartë.

 

Rreth 90% e grave shtatzana, 70% e adoleshenteve femra dhe 40% e adoleshentëve meshkuj (kryesisht ata që merren me sport) janë të prekur nga striet. Siç u theksua më lart, përgjithësisht, striet mbeten një problem thjesht kozmetik. Në raste tendosje ekstreme ato mund të ulçerohen. Femrat preken më shpesh në raport me meshkujt. Striet prekin kryesisht adoleshentët, gratë shtatzana dhe personat me aktivitet të shtuar të gjendrës mbiveshkore.

 

Striet në formën e tyre fillestare manifestohen si zona të sheshta lëkure të holluar që mund të shoqërohen me kruajtje të herë-pas-hershme. Gradualisht, ato rriten në gjatësi dhe gjerësi dhe marrin një ngjyrrë të kuqërreme (striae rubra). Sipërfaqja e strieve mund të ketë rrudha të vogla. Striet mature janë të bardha, kanë një depresion qendror, banda të çrregullta dhe një aks gjatësor i cili shkn paralel me zonën e tensionit të lëkurës (striae alba). Zakonisht janë disa centimetër të gjata dhe 1-10 mm të gjera. Me kalimin e kohës, një pjesë e strieve mund të reduktohen dhe të bëhen të padukshme. Ecuria normale e strieve është pak a shumë e ngjashme me formimin e vragave gjatë shërimit të plagëve.

 

Striet e shtatzanisë prekin zakonisht barkun dhe gjoksin. Vendet më të shpeshta të strieve të adoleshentëve janë zona e kofshëve dhe rajoni i belit tek djemtë dhe kofshët, gluteusi dhe gjoksi tek vajzat. Me raste preket edhe pjesa e sipërme e krahëve. Striet që lidhen më përdorimin e zgjatur sistemik të steroideve janë zakonisht më të gjata dhe më të gjera dhe mbulojnë zona më të mëdha, shpesh duke përfshirë edhe fytyrën. Striet që lidhen me përdorimin lokal të steroideve shfaqen zakonisht në vendet e palave të lëkurës dhe mund të eliminohen në se trajtimi ndërpritet në kohë.

 

Faktorët që shkaktojnë striet janë ende të paqartë, pasi mungon konsensusi i përgjithshëm i ekspertëve dhe kërkuesve. Një sugjerim është se striet shkaktohen nga prishja e lidhjeve të indit lidhor. Një tjetër hipotezë lidhet me mundësinë që striet të shfaqen në ato zona të lëkurës ku ka më tepër lidhje rigide të kolagjenit, në raport me lidhje elastike. Kjo e fundit është evidentë gjatë shtatzanisë, ushqyerjes me gji, ngritjes së peshave dhe aktiviteteve të tjera stresuese për lëkurën. Gjithsesi, ndryshimet në mjedisin qelizor dhe intraqelizor gjatë formimit të strieve janë ende të pastudiuara.