header image
Home  Shtatzania  Barra  Trajtimi medikamentoz i strieve  
Trajtimi medikamentoz i strieve

Në ditët tona, edhe me përparimet e mëdha në fushën e dermatologjisë, trajtimi përfundimtar i strieve nuk është i mundur. Shmangia e rritjes dhe rënies së shpejtë nga pesha mbetet një mjet i mirë parandalues, veçanërisht në adoleshentët dhe gratë shtatzana. Tek adoleshentët, striet mund të përmirësohen me kalimin e kohës.

 

Fillimi i hershëm i trajtimit (në stadin e quajtur striae rubra) ka gjasa të shoqërohet me efikasitet më të lartë në raport me stadin e vonshëm të striae alba, ku qoftë mundësitë e trajtimit, qoftë efikasiteti i trajtimit reduktohet ndjeshëm.

 

Trajtimet e rekomanduara për dëmtimet e strieve rubra përshijnë përdorimin e vitaminës C, acideve të frutave, retinolit dhe substancave të tjera farmakologjike. Edhe përdorimi lokal i tretinoin është raportuar efektiv, por ai duhet shmangur plotësisht gjatë shtatzanisë dhe ushqyerjes me gji për shkak të efektit nxitës të defekteve të lindura tek fëmijët. Edhe retinoidët e tjerë si adapalene dhe tazarotene janë raportuar efektiv.

 

Trajtimi me retinoidë lokalë është treguar efikas në rimodelimin e vragave hipertrofike dhe në përmirësimin e pamjes klinike të strieve. Përmirësimi përfshin cilësinë e lëkurës, eliminimin e rrudhave të lehta dhe flashkësisë pas një terapie që zgjat nga 3 deri 6 muaj. Konkretisht, tretinoin i aplikuar lokalisht është një mundësi trajtimi. Mekanizmi i veprimit mendohet të jetë nëpërmjet stimulimit të fibroblasteve dhe efekti është maksimal në striet e hershme. Trajtimi konsiston në rritjen graduale të sasisë së aplikuar deri sa konstatohet shfaqja e skuqjeve dhe eksfoliacionit të lëkurës. Mund të shoqërohet me emolientë për të shmangur irritimin.

 

Si përfundim, mund të thuhet se adoleshenët me kalimin e kohës mund të presin një përmirësim të gjendjes së strieve. Trajtimet me tretinoin, dhe lazer kanë efekt në trajtimin e strieve të hershme aktive.